Secondary Adv

FSHZH, rishpall tenderin për transformimin e bregdetit të Durrësit, rritet fondi në në 8.5 mln euro

Qeveria ka hapur një tender prej rreth 8.5 milionë euro për projektimin e transformimit të vijës bregdetare të Durrësit, nga Ura e Dajlanit deri te Kavalishenca, me synim kthimin e saj në hapësirë turistike dhe urbane.


Kjo nuk është hera e parë që çelet kjo procedurë pasi më herët u publikua në dhjetor 2025 por atëherë fondi limit ishte shumë më i ulët rreth 540 milionë lekë apo rreth 5.5 milionë euro por që më pas u anulua


Sipas dokumenteve të publikuara në sistemin e prokurimeve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur procedurën me fond limit 833.2 milionë lekë, në kuadër të fazës së tretë të investimeve për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare dhe zonave model të zhvillimit.


Projekti parashikon ndërhyrje përgjatë një segmenti bregdetar prej rreth 2.8 kilometrash, duke zgjeruar vijën e plazhit deri në 100 metra drejt detit dhe duke krijuar hapësira të reja publike për banorët dhe turistët.


Plani përfshin ndërtimin e një parku linear të gjelbër, shëtitoreve të reja, zonave multifunksionale, infrastrukturës sportive dhe rekreative, si dhe krijimin e të ashtuquajturave “Green Coves”, hapësira natyrore që synojnë të lidhin qytetin me detin.


Në projekt janë parashikuar gjithashtu bare plazhi, restorante, hapësira pushimi, qendra informacioni për turistët, zona pikniku, qendra shëndetësore, parkime për biçikleta dhe platforma për aktivitete tregtare sezonale.


Një pjesë e rëndësishme e ndërhyrjes lidhet edhe me zhvillimin e hapësirave publike për aktivitete kulturore. Projekti përfshin ndërtimin e disa amfiteatrove në natyrë, të konceptuara për koncerte, aktivitete artistike dhe evente publike përgjatë bregdetit.


Zona do të pajiset edhe me struktura sportive, përfshirë fusha tenisi, volejbolli plazhi, futbolli, një skate park, palestër në ambient të hapur dhe platforma për yoga, ndërsa përgjatë vijës bregdetare janë planifikuar edhe kulla vrojtimi për sigurinë e pushuesve.


Dokumentet parashikojnë gjithashtu krijimin e baseneve ujore dekorative, shtigjeve këmbësore me konfigurim organik, sipërfaqeve të gjelbra me pemë mesdhetare dhe zonave të dedikuara për aktivitete komunitare.


Në segmentet e ndryshme të projektit do të ndërtohen hapësira për shërbime publike, tualete, pika ndihme mjekësore, ambiente për marrjen me qira të pajisjeve sportive ujore, përfshirë Jet Ski, si dhe platforma për shërbime tregtare.


Sipas dokumenteve të tenderit, zona e ndërhyrjes shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 544 mijë metrash katrorë, nga Porti i Durrësit deri te Kavalishenca, një nga hapësirat me intensitetin më të lartë të përdorimit urban dhe turistik në vend.


Autoritetet synojnë që investimi të rrisë ofertën turistike dhe të përmirësojë funksionalisht dhe estetikisht bregdetin, duke e integruar atë me infrastrukturën ekzistuese të qytetit dhe me funksionet tregtare, rekreative dhe publike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat